Një prej reperëve më të adhuruar shqiptar, Rebel a.k.a Unikkatil, ka lansuar para pak ditësh këngën “A Nive” në bashkëpunim me Klepton dhe rezultatet e para janë të jashtëzakonshme, ndërsa pritjet më se të përmbushura.
Kënga “A Nive” e cila është shndërruar në hit të vërtetë ka zënë vendet e para në iTunes. Në Zvicër është vendi i parë për këngën e reperëve të TBA, ndërsa në tërë Evropën vendi i tretë, që përbën sukses të jashtëzakonshëm për një këngë shqiptare.
Mirëpo, këtu sukseset nuk kanë të ndalur për Unikkatilin. Super agjenti dhe promoteri i njohur shqiptar, Nexhat Morina, ka konfirmuar për Telegrafin se shumë menaxherë dhe promoterë të njohur ndërkombëtar janë interesuar për reperin më të madh shqiptar.
“Është e vërtetë. Më kanë kontaktuar M.O.P, grup i njohur hip-hopi në Amerikë që është interesuar për muzikën e Viktorit. Atyre u ka pëlqyer jashtë mase Unikkatili. Më pas janë Snowgoons dhe La Coka Nostra që më kanë pyetur për Unikkatilin, janë ndarë vërtet të impresionuar. Po ashtu edhe shumë menaxherë e promoterë ndërkombëtarë kanë shprehur interesim për muzikën që Viktori bën”, theksoi Nexhat Morina për Telegrafin pa dashur të zbulojë detaje tjera.
Unikkatili pritet që së shpejti të lansojë albumin e ri, të parin pas katër vitesh pritje të fansave të tij. Rebeli njihet për hitet si “Qëndro”, “Qa Tha”, “Kanuni i Katilit”, “Shihemi në Përkujtime” e shumë e shumë të tjera.
0 comments:
Post a Comment